Secondary Adv

Alarm për industrinë shqiptare, prodhimi bie në nivelin më të ulët të katër viteve

Prodhimi industrial në Shqipëri ka shënuar një rënie të vazhdueshme pas vitit 2022, duke e renditur vendin ndër ekonomitë europiane me performancën më të dobët të industrisë.

Në vitin 2025, prodhimi ishte 15.3 për qind më i ulët krahasuar me nivelin e vitit 2021.

Industria dhe zhvillimi i saj konsiderohen elemente të rëndësishme për rritjen e produktivitetit dhe kalimin e ekonomisë drejt sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë. Megjithatë, të dhënat e Eurostat tregojnë se prodhimi industrial në Shqipëri ka ndjekur një tendencë të fortë rënëse gjatë viteve të fundit, ndërkohë që rritja ekonomike është mbështetur gjithnjë e më shumë te turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.


Prodhimi industrial 15.3 për qind më i ulët se në vitin 2021

Indeksi i prodhimit industrial në Shqipëri zbriti në 84.7 pikë në vitin 2025, kundrejt bazës prej 100 pikësh në vitin 2021. Kjo do të thotë se prodhimi industrial i vitit 2025 ishte 15.3% më i ulët në vëllim krahasuar me katër vite më parë.


Nga 35 vendet europiane të përfshira në të dhëna, vetëm Ukraina, ekonomia e së cilës vijon të ndikohet drejtpërdrejt nga lufta, kishte një rezultat më të dobët. Në Ukrainë, prodhimi industrial në vitin 2025 ishte 30.4% nën nivelin e vitit 2021.


Në Shqipëri, indeksi u rrit fillimisht në 102.9 pikë në vitin 2022, por më pas nisi tkurrja, duke zbritur në 94 pikë në vitin 2023, në 87 pikë në vitin 2024 dhe në 84.7 pikë në vitin 2025. Krahasuar me vitin 2022, kur u arrit niveli më i lartë i periudhës, prodhimi industrial është pakësuar me rreth 17.7%.


Shqipëria me ecuri më të dobët se vendet e rajonit

Ecuria e Shqipërisë rezulton dukshëm më e dobët edhe krahasuar me ekonomitë e tjera të Ballkanit. Në vitin 2025, prodhimi industrial në Serbi ishte 8.8% mbi nivelin e vitit 2021, ndërsa në Turqi rritja arriti në 9.9%. Maqedonia e Veriut ishte vetëm 1.4% nën nivelin bazë, ndërsa Mali i Zi regjistroi një rënie prej 6.5%. Në Bosnjë-Hercegovinë, prodhimi industrial ishte 8.6% më i ulët se në vitin 2021, një tkurrje gjithsesi më e vogël se rënia prej 15.3% e regjistruar në Shqipëri.


Edhe Greqia dhe Kroacia, dy ekonomi të rajonit ku turizmi ka një peshë të rëndësishme, arritën të zgjeronin aktivitetin industrial. Greqia shënoi një rritje prej 12.7% krahasuar me vitin 2021, ndërsa Kroacia prej 2.3%.


Nga 35 ekonomitë e përfshira në të dhënat e Eurostat, 19 kishin në vitin 2025 një prodhim industrial më të lartë se në vitin 2021, ndërsa 16 regjistruan rënie. Rritjen më të madhe e shënoi Danimarka, ku prodhimi industrial ishte 28.8% mbi nivelin e vitit 2021, e ndjekur nga Irlanda me 22.4%, Malta me 16.6%, Greqia me 12.7%, Polonia me 12.5% dhe Qipro me 12.1%.


Forcimi i lekut dhe kostot godasin prodhuesit shqiptarë

Industria europiane është përballur gjatë viteve të fundit me rritjen e kostove të energjisë, dobësimin e kërkesës së jashtme, konkurrencën më të fortë nga Kina dhe problemet në sektorin e automobilave. Këto goditje kanë prekur veçanërisht ekonomitë me industri të rëndë dhe përdorim intensiv të energjisë.


Në Shqipëri, dobësimi i industrisë lidhet me ndërthurjen e problemeve në industrinë nxjerrëse, prodhimin e energjisë dhe manifakturën e orientuar drejt eksporteve. Forcimi i lekut ka ulur të ardhurat e kompanive që shesin në euro, ndërsa kostot e pagave dhe të prodhimit janë rritur. Në të njëjtën kohë, kompanitë shqiptare po përballen me konkurrencë më të fortë nga prodhuesit me kosto më të ulët në Azi.


Komisioni Europian vlerëson se eksportet përpunuese të Shqipërisë janë goditur nga mbiçmimi i lekut, rritja e kostos së punës dhe konkurrenca e jashtme.


Industria mbetet e përqendruar në sektorë me vlerë të shtuar të ulët

Struktura e industrisë shqiptare vijon të jetë e përqendruar në degë me vlerë të shtuar relativisht të ulët, si tekstilet dhe këpucët, si dhe në produkte të lidhura me lëndët e para, përfshirë naftën, metalet, çimenton dhe energjinë. Kjo e bën prodhimin më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare, kursit të këmbimit dhe kushteve atmosferike që ndikojnë në prodhimin hidroenergjetik.


Në ndryshim nga vendet që kanë zgjeruar farmaceutikën, teknologjinë, makineritë dhe sektorë të tjerë me produktivitet të lartë, rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve të fundit është mbështetur më shumë te turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Si rrjedhojë, zgjerimi i ekonomisë nuk është shoqëruar me një rimëkëmbje të prodhimit industrial.


Burimi: Ora News


Më të lexuarat